agnesa-vuthaj

Agnesa Vuthaj, gjërat e ҫmuara nuk blihen…

Si nis një ditë e zakonshme për Agnesën?
Ҫdo ditë e imja nis herët në mëngjes. Zgjohem shumë herët, por orët e para të mëngjesit preferoj t’i kaloj në shtëpi, duke pirë një kafe dhe një lëng të freskët frutash në qetësi dhe duke ndërkohë planifikoj angazhimet dhe projektet e ditës.

Cilat janë impenjimet e Agnesës momentalisht?
Jam e angazhuar në zhvillimin e biznesit tim të ri ‘Agnesa Vuthaj Fashion’, duke mos lënë anash punët rreth spektaklit Miss Kosova 2014. Gjithashtu jam edhe juri në spektaklin “Une jam top model”, gara për përzgjedhjen e modelëve.

Agnesa një vajzë e vogël më pas një adoleshente dhe tani një e rritur… Cilat janë ndryshimet që ka pësuar në kohë?
Sigurisht që kam pasur shumë ndryshime ndër vite. Nga një vajzë e vogël e përkushtuar në mësimet e shkollës, në një adoleshente shumë kërkuese nga jeta e deri tek një e rritur e përcaktuar për qëllimet e mia. Por virtyti që më ka përcjellur gjithmonë është përkushtimi, gjithmonë kam punuar fort për të arritur sukses si në mësime, ashtu edhe në karrierë, por edhe në sfidat me të cilat më ka përballur jeta ndër vite.

Cilat janë mënyrat që kujdeseni për të mbajtur një linjë të mirë trupore?
Kam kujdes të vazhdueshëm në ushqim dhe kujdesem të bëj lëvizje të mjaftueshme gjatë ditës. Gjithashtu bëj sport kur kam kohë të lirë.

A teprohet ndonjëherë me kujdesin ndaj imazhit dhe si reagon Agnesa ndaj një rasti të tillë?
Kujdesi im ndaj imazhit është një kujdes i zakonshëm, që do e bëja njësoj edhe sikur të mos isha personazh publik.

Jeta profesionale a ndikon ndjeshëm në jetën e një artisti?
Unë jetën time publike e konsideroj thjeshtë si një punë, nuk kam dashur asnjëherë të lë anash kënaqësitë personale për shkak të karrierës. Gjithmonë i kushtoj kohë të mjaftueshme vetes, familjes dhe miqve. Dua të jetoj një jetë të plotë.

Talenti, pamja e jashtme, zotësia… Virtyte të cilat kujt ia atribuon Agnesa?
Pamja e jashtme është një virtyt i dhuruar dhe ndjehem e bekuar edhe për talentin tim, gjithashtu zotësinë për të punuar fort dhe për të zhvilluar vetë karrierën time, duke realizuar qëllimet që kam në jetë.

Si e shikon veten pas 10 vitesh?
E lumtur me familjen që do kem krijuar, me shumë miq dhe të arrij një kulminacion të karrierës sime.

Miqësia mes femrave të bukura të ekranit, funksionon apo ambicia i vret ato?
Unë besoj në miqësi të mirëfilltë edhe mes femrave të bukura, një fytyrë e bukur është rezultat i një shpirti të mirë.

Qëndrimi i Agnesës për zhveshjen pa kriter të artisteve shqiptare nëpër skena?
Secila këngëtare ka stilin e saj dhe shijen në të veshur. Rëndësia e veshjes në skenë është që të arrij qëllimin e kërkuar, pa marrë parasysh nëse pëlqehet apo jo nga kritikët e veshjes, mjafton të pëlqehet nga masa, pastaj shijet individuale ndryshojnë.

Cili është mendimi juaj për ndërhyrjet kirurgjikale?
Ndërhyrjet kirurgjikale janë shumë personale, nëse dikush nuk ndjehet mirë me pamjen e tij dhe dëshiron ta ndryshojë atë, e ka mundësinë, guximin dhe njohuritë e mjaftueshme edhe për kundër efektet, pse mos ta bëjë?!

Të kthehesh në shtëpi për Agnesën do të thotë?
Të jem vetëm, e qetë, të lexoj ndonjë libër, por ndonjëherë bëj edhe amvisën ndërsa dëgjoj muzikën time të preferuar.

A është e dashuruar Agnesa? Po e lumtur?
Jam e dashuruar në ҫdo ditë të bukur që e jetoj dhe shumë e lumtur dhe mirënjohëse për bekimet që më ka dhënë jeta.

Cila është ҫmenduria më e madhe bërë për dashuri?
Jam shumë e matur në veprimet e mia dhe nuk më kujtohet të kem bërë ndonjë herë ҫmenduri as për dashuri e as në ndonjë situatë tjetër.

Dhurata më e bukur që ke marë në jetë?
Dhurata më e bukur për mua janë familja ime, miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi që ma lehtësojnë jetën dhe më mbushin me lumturi ҫdo ditë.

Po gjëja më e ҫmuar që Agnesa zotëron?
Gjërat që nuk blihen me para janë më të ҫmuarat që zotëroj, ato të cilat më përmbushin dhe tek to gjej frymëzim.

Cilat janë planet për të ardhmen e Agnesës?
Të vazhdoj me projektet e nisura më herët, por jam duke punuar edhe për projekte të reja, të cilat do të bëhen publike në kohën e duhur.

Kur Agnesa ka ndonjë problem në jetën e përditshme, ku dhe afër kujt gjen ngrohtësinë e duhur për të përballuar gjithҫka?
Tek motrat e mija dhe mikeshat të afërta gjej gjithmonë liri për t’u shprehur gjithashtu dhe mbështjetje tek to.

A beson në zot Agnesa?
Po.

Agnesa për Runway Albania?
Ju dëshiroj fat dhe kam besim në suksesin tuaj! Për mua është nder të jem e intervistuara e parë e Runway Albania.