alexander_mcqueen-runway_albania

Alexander MC Queen

Është quajtur nga shtypi si “Forca Shkatërruese e McQueen” sfilata e tij që s`e kish parashikuar që do ish e fundit ku ai do ishte vetë i pranishëm. E në fakt shkëlqeu! Koleksioni i fundit i Pranverë –Verë 2010 i stilistit britanik Alexandër MC Queen ishte sfilata më revolucionare e dekadës së fundit, me regjinë e fotografit të madh Nick Knight dhe në sfond këngën e Lady Gaga “Bad Romance” si kolonë zanore. Një simbiozë mes natyrës (një natyre të egër, e pamëshirmshmë ndaj njeriut) dhe stilit të tij kreativ risollën në kohë një epokë të hershme. Për të kuptuar metaforën e kësaj sfilatë duhet domosdoshmërisht të dimë pikën e referimit prej së cilës ai mori spunto për ta bërë realitet.

Modeli i referohet zhdukjes së kontinentit të Atlantis City në vitin 353 para Krishtit për të cilin ka shkruar filozofi grek Platoni. Sipas legjendes, 9000 vjet para kohës kur jetoi Platoni, banorët e këtij kontinenti u korruptuan dhe u bënë lakmitarë ndaj njëri- tjetrit. Platoni shkruan se Zotat vendosën t`i shkatërronin banorët. Një tërmet i fuqishëm tronditi tokën duke e zhytur ishullin totalisht nën ujë. Koleksioni i fundit i MC Queen i quajtur “Antlantisi i Platonit” ishte krijuar pikërisht për këtë ngjashmëri mes epokave. MC Queen përmes modës donte t`u tregonte të gjithëve se e ardhmja jonë është nën ujë, përderisa shkrirja e akujve s`po njeh më asnjë kufi! E në fakt bota e modës humbi një prej njerëzve më të spikatur të saj, një talent të rrallë që pakkush guxon të sfidojë të zakonshmen, rutinën, të thjeshtën ashtu siç diti veç ai, Alexandër MC Queen.

I cilësuar si një huligan i modës, një inovator dhe tejet origjinal në stilin e tij MC Queen u nda nga jeta pak kohë më parë, në 11 shkurt 2010 në moshën 40 vjeçare. Ai u gjet i vdekur në apartamentin e tij, e burime të tjera pohojnë se ai mund të ketë kryer vetvrasje për shkak të një zhgënjimi në dashuri. Që pas vdekjes së tij, pikëpyetjet kanë filluar rrugëtimin e tyrë edhe kah talentit eksentrik Lady Gaga. A do jetë më e njëjtë si më parë pa veshjet e MC Queen? Në videoklipin “Bad Romance” në 2009-n, këpucët e cuditshme te stiluara me gurë svarovski të Gagas, kapelja, syzet e mëdha apo dhe fustani i kuq trasnparent me kapelen në formë flake që mbulonte fytyrën në ndarjen e çmimeve MTV Music Awards 2010, kanë dalë nga mjeshtëria e padiskutueshme e stilistit anglez.

I lindur në vitin 1969, MC Queen e kishte filluar karrierën në atelienë e “Anderson e Shepherd” në Seville Row, ku vishte edhe princin e Uellsit, (thonë se dëfrehej shumë duke qepur rrobat e madhërisë së tij). Më pas ai vijoi të punonte me një stilist japonez, Koji Tatzuno dhe Romeo Gigli. Në vitin 1992 u kthye në Londër për të përfunduar studimet në shkollën më të rëndësishme të stilistëve “Saint Martin’s School”. 5 vjet më vonë, karriera e tij mori një kthesë të madhe. Pa mbushur ende 30 vjeç marka e famshme “Givenchy” e punësoi si drejtor imazhi. Që aty filloi ngjitja e karrierës së tij drejt majës (ka fituar katër herë rresht çmimin “British Designer of the Year”), e cila kulmoi në vitin 2001, kur u punësua nga grupi “Gucci”. Aty ai firmosi koleksionin me emrin e tij. Në moshën 22-vjeçare, në një sfilatë të fundvitit, mrekullon shtypin e blerësit e pranishëm dhe tërheq menjëherë vëmendjen e Isabella Blow, gazetarja e famshme e modës, e cila vdiq duke vrarë veten në vitin 2007, që bleu të gjithë koleksionin e tij për 5 mijë sterlina.

Puna e tij krijuese filloi të shtrihej edhe në kinema, ku bashkëpunonte me të për prodhimin e veshjeve të ndryshme. Gjithashtu, ai ishte stilisti i preferuar i Jennifer Lopez. Veshjet e saj mbanin të gjitha firmën e tij. Ndërmjet “Haute Couture” (modës së lartë) dhe “pret-à- porter”, veshjet e McQueen “jetojnë” në një ekuilibër të dyshimtë mes ëndrrës dhe realitetit, jo rastësisht, sfilatat e tij janë momente teatri dhe spektakli, apo dhe “show”-t më të pritura në çdo stinë. Në vitin 1997 prezanton pasarelën (nga ana teknike) më të shtrenjtë në historinë e modës. Më 1999-n, në një sfilatë të tijën, modelja Aimee Mullins, u shfaq me proteza. Më 2005-n, pas skandalit të kokainës, Kate Moss, rikthehet në pasarelë përmes sfilatës së Alexander McQueen.

Pas sfilatës që theu çdo rekord audience në 21 tetor 2009, 16 veshjet e fundit, gjysma e atyre që kishte parashikuar t`i paraqiste në Paris, ishin 80% të përfunduara kohë në të cilën stilisti u gjet i pajetë. Sarah Burton, e cila ka punuar me McQueen për më shumë se një dekadë, përfundoi punën që stilisti britanik kishte lënë përgjysmë. Koleksioni i tij më i fundit është shoqëruar nga muzikë operistike, e ngjashme më sfondin që dëgjontë MC Queen teksa punonte për këtë pjesë koleksioni. Pjesëmarrësit në këtë sfilatë janë shprehur se ka qenë shumë e vështirë për ta, të shikonin veshjet, pasi kujtimet e humbjes së stilisitit ka qenë ende e freskëta. Një luftë e padukshme mes ëngjëjve dhe djajve, me fytyra të zbehta dhe kapele në formë kafke ngjyrë bronzi, me anë të veshjve modelet portretizonin here ferrin apo mallkimin e herë simbolikën e pëllumbit të paqes. Si gjithmonë, talenti i Mc Queen mahnit bindshëm. Kontrastet mes dritës dhe errësirës, urrejtjes dhe dashurisë, të bukurës dhe të shëmtuarës, të shëndetshmës dhe çmendurisë kanë fuqinë e jashtëzakonshme për të shtyrë një njeri drejt vetvrasjes. “Shumëkush mund të ndihet i tmerruar nga këto veshje, por kurrsesi s`mund të hedhë vështrimin tutje.” janë shprehur të pranishmit. Suzy Menkes (fashion editor) nga “International Herald Tribune (rrjet i botimeve të “New York Times) ka shkruar : Në këtë koleksion Alexander Mc Queen ka treguar ndjeshmërinë e tij ndaj historisë, fuqitë e tij kërkuese, imagjinatën e tij, aftësitë teknike dhe dashurinë e tij për femrat, shpesh e keqinterpretuar apo keqkuptuar, por këtu e dukshme në çdo pale dhe në çdo pupël të veshjeve.” Një talent që u nda nga jeta shumë shpejt! Ai ishte teknikisht një nga më të mirët, plot kreativitet dhe mjeshtëri në teknikë.

I paparashikueshëm në koleksionet e tij të karakterizuara nga larmishmëria, prerja dhe zbukurimet e përdorura në veshje kanë qenë madhështore duke e cilësuar si stilist frymëzues për stilistët e tjerë që edhe mësonin prej tij. Ai dukej se kënaqej kur gazetarët botonin shkrime skandaloze rreth stilit të veshjeve të tij pasi “hakmerrej” me ta duke propozuar veshje të reja edhe më “skandaloze” se të parat. Në një nga sfilatat e tij ai ka shfaqur një modele nudo e cila mbante një kuti transparente plot me inskete (molë) e cila pasi u thye, insektet u shpërndanë në ajër duke krijuar panik. “Shumë pak prej stilistëve kanë aftësinë e prerjes, proporcionit të trupit dhe qepjes së veshjeve e Alexandri e zotëron katërcipërisht këtë aftësi,” ka cituar në vitin 2001, Paul Smith, një stilist anglez bashkëmoshatar me Mc Queen- in. Çdo sfilatë e tij, ishte një provokim dhe gjenialitet që do të mbetet përgjithmonë në historinë e modës.

Tendencat e McQueen janë një moment reflektimi në një epokë ku stilistët po humbasin prestigjin dhe influencën e tyre ndaj admiruesve te modës. McQueen është cilësuar eksentrik dhe provokativ dhe u shndërrua në një nga stilistët i cili mund të frymëzojë njerëzit të vishen në një mënyrë të re dhe të këmbëngulin për ta vazhduar më tej atë. Ose prej natyrës së tij prej “kokëshkrehuri” ose prej studimit Mc Queen kishte kuptuar me kohë që ishte një histori. Specialistë të modës kanë shkruar se të visheh në stilin McQueen nuk do të thotë të jesh avangardë, por ai duhet cilësuar si një moment kyç për të dalë nga turma. Sekreti i gjithë kësaj është tek konstatimi si dhe kur duhet bërë ky ndryshim në raport me të tjerët! Ajo çka bie ne sy tek veshjet e tij është stili gotik, të cilin e gjen të mishëruar në cdo detaj, aksesor apo cep të veshjes.

Pesë menyrat sesi ai ndryshoi botën e modes janë:

1. Pantallonat me bel të shkurtër përdorur për herë të pare në Angli në `96-n. Tendencë e përhapur me një shpejtësi marramendëse.
2.Printime me figurën e kafkës sidomos në shall dhe çantë. Johnny Depp, Lindsay Lohan, Nicole Ritchie dhe Cameron Diaz ishin disa nga admiruesit e këtij stili, të cilët i bënë menjëherë pjesë të garderobës së tyre.
3.Të qepurit e veshjeve. Kishte një saktësi të padiskutueshme ne prerjen e copave dhe qepjen e tyre.
4.Shfaqjet teatrale te sfilatave me kafaze zogjsh, flutura, me pendë, si dhe sfilata të mbushura me ujë. Në 2006-n ai projektoi një imazh në 3D të modeles Kate Moss si dhe eksperimentoi duke shfaqur një nga sfilatat e tij live në internet. Modele (jo) modele. Mc Queen pëlqente t`i surprizonte njerëzit në sfilatat e tij dhe nuk ishte një stilist i cili konformohej me normat e industrisë së modës. Në vitin 1998 ai shkaktoi një habi tek të gjithë. Vuri të sfilonte një vajzë me aftësi të kufizuara duke sfiluar me këmbë artificiale të drunjta pa u dalluar fare. Në këtë mënyrë ai bënte njerëzit të reagonin, të mendonin dhe të çoheshin nga karrigia e tyre.
5.Siluetat ekstreme. Ai nuk i kushtonte rëndësi vetëm veshjes, por look-t në tërësi. Ai nuk ishte thjesht krijues mode, por spektakli. Sytë e rënduar nga toni i errët , buzët e lyera jashtë kontureve, apo dhe makeup-i janë shumë të dukshme. Bota e modës nuk ka humbur thjesht një gjeni,bota e modes ka humbur muzën e saj!