anida curri

Anida Curri “E bekuar, e lumtur, e dashuruar”

1. Si nis një ditë e zakonshme për Anidën?
Një ditë e zakonshme e imja nis në orën 7 për tu bërë gati për në universitet. Gjatë ditës konsumoj diçka me miqtë e mi dhe gjatë mbasditeve studioj ose merrem me palestër.

2. Cilat janë impenjimet e Anidës momentalisht?
Për momentin të gjithë kohën time ia kam kushtuar shkollës, duke lënë kështu pas dore modelingun. Jo dhe për shumë kohë besoj.

3. Talenti, pamja e jashtme, zotësia… Virtyte të cilat kujt ia atribuon Anida?
Talentin në fushën e modës besoj se e kam të dhuruar nga zoti pasi asnjë nga prindërit nuk i kam pasur të apasionuar në këtë fushë, sa për fizikun e kam të trashëguar nga babai meqënëse është atlet i vjetër.

4. Anida një vajzë e vogël, më pas një adoleshente dhe tani një e rritur… Cilat janë ndryshimet që ke pësuar në kohë?
Të them të drejtën asgjë nuk ka ndryshuar me Anidën, perveç se ndryshimeve të moshës kuptohet, kam kaluar një fëmijëri tepër të lumtur dhe plot argëtim. Sa për pjesën e adoleshencës dhe unë si çdo vajzë tjetër kam pasur ato ndryshimet e vogla të moshës por që ia dola me sukses… Tani jam një vajzë e madhe dhe i di fare mirë çfarë duhet bërë për të arrirë atë që dua në jetë.

5. Cilat janë mënyrat që kujdeseni për të mbajtur një linjë të mirë trupore?
Nuk është se bëj ndonjë gjë të madhe për të mbajtur linjat trupore. Kujdesem më shumë me ushqimin, pasi të bëj palestër nuk më pëlqen shumë. Falenderoj zotin që më ka dhuruar dy prindër me trup perfekt, dhe mua një metabolizëm të tillë.

6. A teprohet ndonjëherë me kujdesin ndaj imazhit dhe si reagon Anida ndaj një rasti të tillë?
Më pëlqen ta mbaj veten por jo duke e tepruar dhe duke dalë jashtë pamjes natyrale.

7.Në cilën moshë moda u kthye në profesion për ju dhe si ndodhi kjo?
Që kur isha fare e vogël ndiqja emisjonet e Fashion Tv dhe gjithmonë i imitoja në mënyrën time prej fëmije. Në moshën 17 vjeçare konkurova në eventin Miss Shqipëra ku u kurorëzova si shoqëruesja e miss-it. Ishte ajo shkëndija e parë që më bëri ta dashuroj skenën dhe të vazhdoja të merrja pjesë në sfilata të ndryshme. Në vitin 2012 kam marrë pjesë në kopertinën time të parë në revistën “Eleganc” gjithashtu dhe editorialin brenda.. Në vitin 2013 jam zgjedhur të jem në kopertinën e “Aurela Style” dhe gjithashtu editoriale brënda me fustanet e njohura të nusërisë “Frederika Arti Martesor”, gjithashtu kam marrë pjesë në shumë editoriale të revistave të ndryshme “Harmony” “Ti sposi” etj. Nuk duhet lënë pa përmendur dhe eksperienca ime më e bukur në sfilatën e Fashion Tv në gusht të vitit 2013 që u organizua në Kosovë. E fundit dhe jo më pak e rëndësishme është pjesmarrja si velinë në televizionin Klan në emisionin “E djela Shqiptare”.

8. A është dashur ndonjëherë të bëhesh pjesë e një kompromisi në fillimet e karrierës tënde?
Në fakt dalja ime në skenë ka qenë ajo në Miss Shqipëria dhe të them të drejtën ishte krejtësisht e rastësishme, për mua ishte një ëndërr që nuk ishte shumë e vështirë ta realizoja deri diku. Por këtu ku jam deri sot ia kam dalë falë këmbënguljes time të pa reshtur duke qenë se dhe nga ana e familjes sime nuk e kam pasur plotësisht mbështetjen në fillimet e mia.

9. Anida sigurisht që ka një jetë private… Sa është debitore ndaj saj?
Në fakt nuk jam aspak, kam kohë mjaftueshëm për gjithçka dhe këdo që është pjesë e jetës sime.

10. Kush është 24 orë me Anidën?
Gjatë ditës më duhet të takoj shumë miq në shkollë, por gjatë 24 orëve të ditës jam gjithmonë e shoqëruar nga dashuria e pa kufijtë që më dhuron familja ime!

11. A trembet Anida nga fjala “përjetësisht”?
Jo! Asgjë nuk zgjat përjetësisht, ashtu si çdo qënie e gjallë që ka një fund ashtu dhe gjithçka tjetër një ditë do përfundojë! Thjeshtë duhet marrë me sportivitet.

12. Çdo të thotë për një modele ti pëkushtohet vetes? Kur dhe si ndodh kjo?
Të mbash trupin në formë ose të kujdesesh për veten në çdo detaj është diçka jo shumë e lehtë që kërkon durim, mund dhe forcë fizike gjithashtu edhe psikologjike. Modelingu siç gjithëkush e di, kërkon shumë dhe ka kritere shumë shumë të forta. Jam e bindur që asnjë nga modelet në Shqipëri nuk ka privuar as gjysmën e “vuajtjeve” që kalojnë modelet nëpër botë.

13. Si e shikon Anida veten pas 10 vitesh?
Mbas 10 vitesh e shoh veten të formuar profesionalisht në profesionin tim si ekonomiste. Me plot eksperienca në fushën e modës dhe televizionit dhe gjithashtu, plotësisht e lumtur në jetën time private!

14. Miqësia mes llojit, në këtë rast mes bukuroshesh, funksionon apo ambicia i vret ato?
Nuk mendoj që xhelozinë ndaj njëra tjetrës e kanë vetëm femrat e bukura. Në ditët e sotme kanë filluar të bëhen meshkujt xhelozë për njëri tjetrin, kështuqë është e kotë të thuash që dhe mes femrave nuk egziston. Fatmirësisht deri më sot nuk jam prekur nga ky fenomen!

15. Qëndrimi i Anidës për modën në Shqipëri?
Hmm nuk mendoj që Shqipëria duhet krahasuar me botën të paktën në fushën e modës pasi industria e modës është shumë pak e zhvilluar.

16. Jeta sentimentale e Anidës në tre fjalë?
E bekuar, e lumtur, e dashuruar!

17. Raporti i Anidës me familjen?
Raporti mes meje dhe familjes sime është i përsosur. Kam dy prindër që më kanë ndihmuar në çdo hap timin dhe e them me plot gojë që janë forca më e madhe që kam për të ecur para. Kam dhe 2 vëllezër që i dua shumë dhe pse shumicën e kohës jemi duke u zënë.

18. A beson në Zot?
Të besosh në Zot është diçka e bukur të bën të ndjehesh më e çliruar dhe njëkohësisht një njeri i mirë! Po besoj në Zot!

19.Është televizioni një ëndërr e Anidës për të ardhmen apo nuk e sheh veten para kamerave?
Kam shumë plane për të ardhmen dhe shpresoj që disa ti realizoj shumë shpejt. Le t’ia lejmë kohës që ti zbulojë!

Nga Emilda Mushketa