dubai

Dubai, një qytet rekordesh në arkitekturë

Askush nuk do ta imagjinonte që një qytet në mes të shkretëtirës, ajte ku nuk kishte infrastrukturë, nuk kishte investime, nuk kishte shenjë gjelbërimi, nuk kishte pothuajse as rrugë të mirëfillta, të zhvillohej në mënyre marramendëse dhe me një shpejtësi marramendëse. Duket e pabesueshme por është e vërtetë. Dubai është ndërtuar në një kohë rekord që prej vitit 1971 kur u themeluan Emiratet e Bashkuara.

Në muzeun e qytetit ka shumë pak artifakte të periudhave të hershme historike, një kasolle tipike arabe, një varkë e vogël prej druri dhe një pus që të kujton përpjekjet e vazhdueshme të banorëve të kësaj ane të botës për ujin e pijshëm. Ndryshe nga sa mund të mendohet, zhvillimi i Dubait nuk është i varur vetëm prej eksportit të naftës që aktualisht përbën vetëm një pjesë të vogël të të ardhurave kombëtare, jo më shumë se 6 %. Dubai është zhvilluar për shkak të tregtisë, modelit të zonës së lirë nga taksat dhe së fundmi prej turizmit, tek i cili qyteti duket se po mbështet  gjithnjë e më shumë rritjen e tij. Sot, Dubai, qyteti ku bashkëjetojnë 120 kultura të ndryshme, po thyen çdo tabu të arkitekturës duke vendosur rekorde marramendëse.

Burj Al Arab i vetmi hotel me 7 yje në botë i cili filloi të ndërtohej në vitin 1994 është një nga rekordet e Dubait. ”Klienti donte që kjo godinë të ishte një simbol i Dubait” shprehet arkitekti i saj Tom Wright dhe jo më kot është projektuar në formën e një vele, e cila është karakteristike e anijeve arabe. Hoteli ngrihet në një ishull artificial rreth 280 metra larg bregdetit dhe në katin e fundit të tij ndodhet një helipad dhe një fushë tenisi. Në qoftë se në eksterier kemi një stil të pastër dhe modern në interier është krejt e kundërta, aty do të gjejmë një përmbledhje të stileve arkitektonike lindore dhe perëndimore, mjaft luksoze dhe deri diku të ngarkuara.

Një nga restorantet e tij “Al Mahara” është projektuar në mënyrë të atillë që të krijon idene e një udhëtimi në det me nëndetëse. Akuariumi i këtij restoranti ka rreth 35 mijë metra/kub ujë dhe është i bërë prej qelqi akrilik në mënyrë që të zvogëlojë efektin e zmadhimit. Restoranti është zgjedhur si një ndër 10 restorantet më të mirë në botë nga një sondazh i bërë nga “Conde Nast Traveler”. Një tjetër rekord që ka thyer Dubai është pa dyshim dhe kulla më e lartë në botë “Burj Dubai” ose siç njihet ndryshe “Burj Khalifa” e cila ngrihet 828 metra drejt qiellit dhe duket që emiratet e Dubait nuk duan të pushtojnë vetëm shkretëtirën dhe detin por tashmë duan të mbizotërojnë dhe qiellin.

Në fillim kulla u projektua të ishte 808 metra por arkitekti i saj Adrian Smith vuri re se mbyllja e kullës nuk ishte dhe aq elegante në krahasim me pjesën tjetër të saj, kështu ai propozi që kullës ti shtoheshin dhe disa kate duke e çuar në lartësinë aktuale prej 828 metra. Në brendësi të saj do të gjeni një hotel të dizenjuar nga stilisti Giorgio Armani, ”Giorgio Armani Hotel”, i cili zë një hapësirë prej 15 kate në 39 katet e para të kullës. Në të tjera kate do të gjeni dhe apartamente me 1 ose 2 dhoma gjumi të dizenjuara sipas Giorgio Armanit dhe të quajtura si “Giorgio Armani Lifestyle”. Në katet në vazhdim do të gjeni suita me 1,2,3 dhe 4 dhoma, rreth 400 metra katrore taraca të gjelbëruara, 2 fusha tenisi, kënd lojrash për fëmijë, market, dyqane të llojeve të ndryshme etj. Diku në katin e 123 ndodhen zyrat e sigurisë të cilat ofrojnë një siguri të nivelit të lartë dhe të teknologjisë së fundit. Në katin e 124 ndodhet e ashtuquajtura kulla e vrojtimit, e cila i oforn vizitorëve të saj një pamje të mrekullueshme të Dubait.Para kullës “Burj Khalifa” shtrihet shatërvani i Dubait, me një kosto prej 800 milionë AED (217 milion dollarë). Edhe ky shatërvan ka thyer rekordin si shatërvani që kërcen më shumë në botë, pasi uji mund të shkojë në një lartësi prej 150 metrash.

Rekordet duket se nuk kanë të mbaruar në Dubai dhe një tjetër rekord është dhe “Dubai Mall”, që është qëndra tregtare më e madhe në botë me një sipërfaqe sa 50 fusha futbolli, 1200 dyqane me firmat më të njohura në botë. Në brendësi të kësaj qëndre tregtare do të gjeni dhe “Akuariumin e Dubait” i cili ka thyer rekordin e paneleve më të gjata prej qelq akriliku, panele të cilat arrijnë të përballojnë presionin e 10 milion litrave ujë qe ka akuariumi dhe ka një transparencë aq të pastër ku mund të shikosh 33 mijë specie të ndryshme ujore. Jo më pak e rëndësishme është dhe pista e patinazhit që ndodhet po në këtë qëndër tregtare e cila ka një kapacitet prej 2 mijë vizitorësh. Një tjetër karakteristikë e Dubait është dhe tregu i arit, në të cilin mund të gjeni unazën më të madhe në botë e cila peshon 83 kg ar 24-karatësh e zbukuruar me rreth 20 kg gurë të tjerë të çmuar.

Lista e rekordeve në Dubai pa dyshim që është shumë e gjatë dhe sigurisht do na duhej të botonim një revistë të tërë për të përshkruar të gjitha këto rekorde. Ajo ku doja të ndalesha është gjelbërimi i Dubait, i cili të bie menjëherë në sy sapo ti shkel në këtë qytet. Në Dubai bëhet një betejë e vazhdueshme për të shndërruar shkretëtirën në një vënd të gjelbëruar. Thuhet se Dubai shpenzon rreth 10 mijë dollarë në vit për çdo metër katrorë gjelbërim. Por shkretëtira nuk është i vetmi vend që po shdërrohet nga zhvillimi. Ishulli gjigand artificial në formë palme i ndërtuar në det, në Gjirin Persik, është konsideruar si bukuria e 8-të në botë. Ishulli i parë i “Dubai Palm” përfundoi në vitin 2006.

Për të përfunduar këtë shkrim, ajo çka është më interesante është se në Dubai nuk ndjehesh kurrë i huaj, pasi vetëm 18% e popullsisë nga 2.6 milionë janë vendas dhe pjesa tjetër janë nga Lindja e Mesme dhe e Largët, Europa apo dhe nga Amerika. Kudo flitet Anglisht, në shëtitore, në rrugë e deri në zyrat administrative.

Shkruajtur për Runway nga Doloreza Kllogjeri.