Erion Sanxhaku

Erion Sanxhaku “Do mbetem gjithmonë simpatik siҫ jam”

1.Si nis një ditë e zakonshme për Erionin?
Dita ime nuk nis ҫdo ditë njësoj, varet ku zgjohem, me kë zgjohem…(shaka). Më të zakonshmet nisin me një sms mirmëngjesi. Pastaj vazhdon me një gotë qumësht me mjaltë, një frut dhe mëngjesin që ma përgatit ҫdo ditë nëna.

2.Cilat janë impenjimet e Erionit momentalisht?
Puna më zë pjesën më të madhe të ditës aq sa e kam të pamundur të mar përsipër impenjime të tjera. Aktualisht jam shumë i fokusuar pas punës, është një profesion që kërkon mjaft përkushtim fizik dhe kohor po ashtu, si rrjedhojë jam i limituar kur bëhet fjalë të kem aktivitete të tjera. Nuk mundem, të paktën momentalisht të marr përsipër asgjë tjetër veҫ punës, pasi nuk kam hapësirë.

Erion Sanxhaku

3.Talenti, pamja e jashtme, zotësia… Virtyte të cilat kujt ia atribuon Erioni?
Talentin vetes, është diҫka që më ka karakterizuar që fëmijë ndoshta është kjo arsyeja që prindërit menduan që unë të vazhdoja baletin edhe pse të them të drejtën asokohe nuk e kam pasur shumë qef, por që tani besoj se kjo është një nga gjërat që unë di të bëj më mirë. Përsa i përket pamjes së jashtme, sigurisht zotit dhe prindërve të mij. Unë i ngjaj mamit, nga ajo kam marë shumë në pamje dhe në tip, ndërsa zotësinë po vetes time, e kujt mund t’ia atribuoj tjetër?!

4.Erioni një djalë i vogël më pas një adoleshent dhe tani një i rritur… Cilat janë ndryshimet që ka pësuar në kohë?
Një djalë i vogël…më duket shumë e largët koha kur kam qenë i vogël por në të tre këto faza të jetës time që ju përmendët pavarërisht ndryshimeve të mëdha unë kam mbetur po ҫapkën. Fëmijëria ime ashtu siҫ besoj edhe e ҫdo kujt ka gjëra që unë nuk dua dhe nuk mund ti harroj. Adoleshenca po ashtu, dashuria e parë, shkolla, shoqëria… Ndërsa për tani mund të them që jam bërë më i përgjegjshëm, humorin që e kam pasur që i vogël e kam ende, madje akoma më shumë.

5.Cilat janë mënyrat që kujdeseni për të mbajtur një linjë të mirë trupore?
Stërvitje ҫdo ditë. Veҫ provave në punë, ushtrohem edhe vetë, nuk rri dot tashmë është bërë pjesë e imja. Ushqimi i kontrolluar po ashtu është mjaft i rëndësishëm nëse duam një fizik të shëndetshëm dhe është pikërisht kjo ajo që duhet, fiziku i mirë dhe i shëndetshëm.

6.A teprohet ndonjëherë me kujdesin ndaj imazhit dhe si reagon Erioni ndaj një rasti të tillë?
Unë vetë jo, mendoj se nuk e teproj. Më thonë gjithmonë që jam shumë i bukur dhe kam filluar ta besoj edhe vetë. Përtej shakasë, jam gjithmonë shumë i thjeshtë. Kujdesin e tepërt ia kam lënë femrave.

7.Në cilën moshë baleti u kthye në profesion për ju dhe si ndodhi kjo?
Në moshë fare të vogël. Mbaj mend kam qenë në klasë të shtatë, kur u përzgjodha për të qenë pjesë e trupës së teatrit kombëtar. Nga aty nisi dhe më pas u zhvillua profesioni im dhe ja ku jam sot.

8.Jeta profesionale a ndikon ndjeshëm në jetën e një artisti?
Besoj se janë gjëra të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Artist nuk mund të quhesh pa një profesion dhe besoj se pa atë profesion as unë nuk do mund të quhesha artist. Sigurisht që ndikon dhe shumë madje përsa kohë profesioni mer pjesën më të madhe të ditës time, sigurisht që po.

Erion Sanxhaku-runway-albania

9.Familja dhe raporti i Erionit me familjen?
Raporti me familjen mund ta përkufizoj si të shkëlqyeshëm. Pika më e dobët e ҫdo mashkulli besoj po edhe e imja është nëna. Po ashtu edhe vëllai vogël, mungesën e të cilit e ndjej ҫdo ditë duke qenë se jeton në Londër.

10.Të gjithëve na ndodh të kemi ditë të këqija. Ku dhe afër kujt gjen forcë dhe mbështetje Erioni për të ecur para?
Zakonisht kur mërzitem mbyllem në vetvete, po them kohët kur ndodh se duke qenë se jam tip mjaft alegro, gjërat qoftë edhe ato të këqia mundohem ti marr lehtë. Nuk i mendoj më shumë se duhet, domethënë i jap aq vëmendje sa meritojnë aspak më shumë. Personi që kam në krah aktualisht, po ashtu më ndihmon shumë. Më kthen humorin, kjo është gjë e mirë për mua.

11.Erioni sigurisht që ka një jetë private… Sa është debitor ndaj saj?
Debitor ? Pse? Jo jo nuk jam aspak. Është marëdhënie, jo më kot quhet e tillë marrë dhe jap. Por debitor jo.

12.Kush është 24 orë me Erionin?
Une jam. Rrimë 24 orë bashkë të dy.

13.Si e kalon Erioni kohën e lirë?
Stërvitje, mundohem mos ta lë asnjë ditë pavarësisht angazhimeve në punë dhe jo vetëm, jam i fiksuar pas fizikut. Pastaj edhe partnerja nuk mbetet mbrapa.

14.Miqtë dhe shoqëria. Ҫfarë vëndi zënë ata dhe sa kohë u kushton Erioni atyre?
Një pjesë të madhe të ditës e ndaj me shoqërinë, miqtë më të ngushtë kanë edhe një vend të rëndësishëm në jetën time, ata të ngushtit them. Zakonisht shqetësimet me miqtë ndahen, kur të lidh edhe puna apo profesioni aq më mirë akoma.

15.Si e shikon Erioni veten pas 10 vitesh?
Tani që po e mendoj, veten pas dhjetë vitesh e shoh mbi të gjitha familjar, me fëmijë pse jo, fizikisht të palestruar edhe pse mendoj se ndoshta mosha nuk do më lejojë të bëj ende të njëjtin profesion, dhe sigurisht shume simpatik siҫ jam.

16.Miqësia mes llojit, në këtë rast mes profesionit, funksionon apo ambicia i vret ato?
Jo mendoj se ku ka miqësi të vërtetë ambicia mbetet jashtë. Unë miqtë më të ngushtë i kam të të njëjtit profesion.

17.Një çmënduri që ke bërë për dashuri?
Nuk mbaj mend ndonjë gjë specifike, unë ҫmendurira bëj gjithë kohën…

18.Libri që ke mbi komedinë dhe po lexon momentalisht?
Unë nuk jam tip i librave, më vjen keq edhe vetë kur e them këtë gjë. Sigurisht që jam i update-uar me ҫdo të re në ҫdo fushë, pasi jetojmë në një kohë që mënyrat për të marrë informacionin janë të shumta, por aktualisht nuk kam asnjë libër në dorë.

19.Dhurata e fundit që ke blerë dhe për kë?
Dhuratën e fundit ia kam bërë nënës time, një palë këpucë. Ajo është femra e vetme në jetën time që meriton ҫdo gjë, pa kushte.

20.Veshja e fundit që ke blerë?
Hmmm…e fundit, e fundit një palë tuta të shkurtra.

21.Ҫfarë duhet të të kenë zili të tjeret?
Qetësinë, humorin, sportivitetin… Edhe sytë e bukur…

22.Ҫfarë këndon në dush?
Në dush nuk këndoj, kërcej.

23.Jeta sentimentale e Erionit në tre fjalë?
Qetësi, kënaqësi dhe ndjenjë.

24.A beson ne zot?
Po, besoj shumë.

25.Cilat janë planet për të ardhmen e Erionit?
Aktualisht jam i fokusuar tek puna që bëj, e ardhmja asnjëherë nuk dihet.