grace_kelly

Grace Kelly, ikona legjendare e modës

Do preferonit filmin “Në ndjekje të hajdutit”origjinali “To catch a thief” apo “Telefono M per vrasjen” origjinali “Call M for Murder”!?
Mos u çudisni, nuk bëhet fjalë për një nostalgji për brezat e prindërve tanë, por për aktoren Grace Kelly.
E lindur ne vitin 1929 Grace ishte e pasur falë reputacionit dhe punës së babait të saj i cili ishte guvernator në Filadelfia, SHBA. Sërish nuk do t`i referohemi karrierës së saj si aktore!

grace_kelly

Do jemi më konkretë, më pranë modës e teksa flasim për Gracen do t`i referohemi pikërisht veshjeve të saj, stilit, tendencave të cilat në vitet `50 thyen çdo tabu duke krijuar modele të cilat, sot, pas plot 5 dekadash ritkthehen herë pas here në modë.
Nuk e keni idenë!? Nuk ju kujtohet? Ne po ua sjellim ndërmend!
Pantallona treçereksh, një shall mbi kokë (nuk ka rëndësi ngjyra), syze të mëdha që mbulojnë pjesën e syve dhe aksesorë ekstravagantë, të kombinuar me njëri – tjetrin. Na duket sikur jemi përballë një dyqani dhe sodisim nga jashtë një manekin. Në fakt jo! Është pikërisht veshja e aktores amerikane Grace Kelly në filmin “Në ndjekje të hajdutit”, origjinali “To catch a thief” në vitin 1956! Inovative në çdo detaj! E cilësuar si femra e parë që ka përdorur veshjet casual. Në garderobën e saj nuk mungonin xhinset, shallët shumëngjyrësh, bluzat T-shirt ngjyrë të bardhë apo dhe fustanet e të gjithave llojeve. Grace Kelly “shpiku” maninë e aksesorëve të shtrenjtë. E marrosur pas tyre në vitin 1956 teksa Grace ka qenë dukë blerë gardërobën e po të njëjtit film, ajo ka shpenzuar të gjithë buxhetin vetëm për doreza dhe këpucë. Që në moshën 12 vjeçare filloi të luante rolet e para si aktore. Gjatë kohës që ajo studionte në Beninngton College (shkollë e mesme) ajo këndonte dhe në të njëjtën kohë kërcente duke fituar kësisoj edhe çmime.

grace_kelly_runway_albania

Për shkak të notave të ulëta në matematikë, Grace u përjashtua nga shkolla dhe vazhdoi të frekuentonte ambientet e teatrit në New York. Pas disa roleve ajo fitoi audicionin të realizuar nga Kompania gjigande kinematografike MGM (Metro Goldwyn Mayer) për filmin “Mogambo” në 1953-n dhe një kontratë me kohëzgjatje 7 vjeçare. Në këtë film ajo fitoi çmimin si aktorja më e mirë femër joprotagonste. Rolet e saj filluan të shtohen edhe me filma të tjerë si “Dritarja e pasme” origjinali “Rear Window”, dhe “Në ndjekje të hajdutit” origjinali “To catch a thief” me regji të Alfred Hitchcock. Me filmin “Vajza vendase” origjinali “The country Girl” nga regjisori George Seaton, ajo fiton çmimin Oskar si aktorja më e mirë në 1955-n. Njohja me Princin Rainier të Monakos ka qenë fare e rastësishme. Në muajin prill të vitit 1955 teksa ka kryesuar delegacionin amerikan në Festivalin e Filmit në Kanë, ajo ftohet nga Princi Rainieri i Monacos për një set fotosh në pallatin mbretëror. (Madje atë ditë Grace-t i teksa ajo ndodhej në hotel, asaj i ndodh një incident. Disa orë para ceremonisë, në hotel ndërpriten dritat. Fustanet e Grace-t mbeten pa hekurosur dhe flokët pa stiluar. Por çfarë bëri ajo! Nuk mendoi gjatë, por veshi të vetmin fund që kishte në garderobë I cili s`kishte nevojë për hekurosje. Kësisoj i shpëtoi një skandali që mund të merrte përmasa të mëdha) Mes Princit Rainier dhe Grace fillojnë korrespondencat e rregullta derisa pas disa muajsh ata deklarojnë zyrtarisht fejesën. Është quajtur nga shtypi i asokohe si “Dasma e Shekullit”. Paja e Grace-t kushtoi 2 milion dollarë dhe martesa e tyre u kurorëzua në 19 prill 1956. I gjithë pallati mbretëror mori tjetër ngjyrë pasi u lye me bojë në çdo cep të tij vetëm për këtë eveniment. Mbi 400 reporterë tentuan të merrnin pjesë në martesën e çiftit, por vetëm gjysma prej tyre arritën të ishin prezent. Fustani i saj është qepur për gjashtë javë rresht nga një dyzinë punëtorësh dhe është dizenjuar nga stilistja e kompanisë hollivudiane MGM, Helen Rose. Mbi 20 mijë njerëz kanë pritur ardhjen e Grace Kellyt në rrugën që të çonte në pallatin mbretëror. Rreth 600 të ftuar duke përfshirë edhe persona VIP nga Hollivudi kanë qenë të pranishëm në dasmë e mbi 30 milionë shikues kanë ndjekur ceremoninë e martesore të shfaqur në televizion. Menjëherë pas martesës ajo u kurorëzua si Princesha e Monacos duke i dhënë një herë e përgjithmonë fund karrierës së saj si aktore. Grace dhe Princi Rainieri III patën tre fëmijë, Caroline Louise Marguerite, Princeshë e Hanoverit si dhe trashëgimtare e fronit mbretëror të Monakos, aktualisht 53 vjeç, Albert II, Princi aktual i Monakos 52 vjeç, si dhe Princesha Stéphanie Marie Elisabeth 45 vjeç. Përgjatë gjithë jetës së saj, Grace ka qenë objekt thashethemesh i tabloideve më të famshme në atë kohë. Shënjestrat ndaj saj ishin fokusuar më shumë në raportet “profesionale” që ajo kish ndërtuar me aktorët protagonistë të filmave ku ajo kish marrë pjesë. Në vitin 1964 ajo themelon fondacionin me emrin e saj, i cili kishte si qëllim ndihmesën ndaj njerëzve në nevojë. Më 14 shtator 1982 teksa udhëtonte me vajzën e vogël të saj Stéphanie, Princesha Grace pëson një hemorragji celebrale dhe humb kontrollin e makinës duke u përplasur me një faqe mali. Një ditë më vonë, e pandërgjegjshme për gjendjen e saj mendore ajo ndahet nga jeta në spitalin e Monacos në moshën 52 vjeçare . 3 vjet më vonë spitali merr emrin e saj. Mbi 400 personalitete nga e gjithë bota morën pjesë në funeral, ndërmjet tyre dhe Princesha e Wellsit, Lady Diana. Përmes valëve televizive, rreth 100 milion njerëz anembanë botës ndoqën përcjelljen e saj për në banesën e fundit. Në nder të pasionit të princeshës për lulet, Princi Rainier përuroi në 1984-n, kopshtin më të madh të trëndafilave në Principatën e Monacos. Në vitin 1993, Princesha Grace ishte e para aktore amerikane imazhi i së cilës u përdor në stampat e letrave. Pas vdekjes të së shoqes, Princi Rainier nuk u martua më kurrë, dhe vdiq në 2005-n, në moshën 82 vjeçare. Le t`i kthehemi ndikimit të Gracet që pati në fushën e modës. Tendencat e saj për të ndërhyrë në stilin e zakonshëm të atyre viteve, s`mbeti me aq! Në muajin e mjaltit i cili nuk zgjati pak, por plot shtatë javë në Mesdhe në jahtin e Princit Rainier, ajo nuk preferoi të merrte me vete një cantë dore siç përdorej dendurazi në atë periudhë. Grace mban sërish fashën “E para” që ka ndryshuar madhësinë e çantave nga të vogla, në të mëdha më plot hapësirë për të futur çdo gjë që i nevojitej një femre. Ditë më vonë, dyqanet u pushtuan nga mijëra modele çantash të ngjashme më Kelly-n. Një revolucion më vete i cili ndikoi në botëkuptimin e femrave në atë dhe në periudhë që po jetojmë. Stilistet më të njohura si Oscar De la Renta, Ralph Lauren, Carolina Herrera, Ralph Rucci, Zac Posen janë frymëzuar nga fustanet e Gracet për të rikrijuar një model të ri fustani duke ruajtur shumë stilin e origjinalit. Së fundmi, një lajm i mirë për të gjithë fansat e çmendur të Gracet-t. Nga data 17 prill deri më 26 shtator 2010 muzeu i famshëm në Londër Victoria & Albert ka hapur një ekspozitë të titulluar “ Grace Kelly, Ikona e Stilit” në te cilën është paraqitur garderoba me veshjet të kësaj aktoreje më popullore të viteve `50! Të gjitha fustanet e saj të veshura në filmat si “Shoqëri e Lartë” origjinali “High society” apo “Dritarja e pasme” origjinali “Rear Window”, përfshirë edhe fustanin e veshur në natën gala të ndarjes së çmimeve Oskar janë ekspozuar në këtë ekspozitë. Veshjet e stilistëve Christian Dior, Balenciaga, Givenchy dhe Yves St Laurent të dizenjurara enkas për të duke qenë se Grace ka qenë kliente e këtyre stilistëve, janë gjithashtu të shfaqura në këtë galeri. Një nga femrat më të fotografuara të të gjitha kohërave, Grace ishte tepër e dashuruar pas veshjeve të saj duke e veshur më shumë së disa herë të njëjtin fustan. Përmes tyre ajo krijonte asosacione, ndjeshmëri dhe kujtime të cilat donte t`i mbërthente fort pas vetes së saj. Për “Daily Telegraph”, Princi Alberti II mbi këtë ekspozitë ka pohuar për nënën e tij se ajo ka pasur një karizmë të jashtëzakonshme duke i dhënë asaj autenticitetin dhe një stil tejet dallues. “Nuk është aspak surprizë që eleganca e saj ka qenë pikërisht ”arma” që e ka shndërruar atë në legjendë të modës”, ka përfunduar ai.