greqia antike

Greqia antike si referencë e aksesorëve bashkëkohor të modës

Krahas zhvillimeve të pakrahasueshme të shoqërisë njerëzore, qoftë në fushën tekniko-teknologjike, qoftë në atë socio-ekonomike, kulturore dhe politike, jemi njëkohësisht dëshmitarë të revolucionarizimit të shijeve dhe preferencave në fushën e dizajnit të modës. Si duket, pra, moda si fushë ka filluar të marrë një rëndësi më të madhe në konceptin bashkëkohor të artit: njerëzit dita ditës po i perfeksionojnë shijet e tyre, po ka një guxim më të madh për të eksperimentuar me stile dhe trende të reja, dhe, mbi të gjitha, secili është duke u përpjekur për të krijuar apo formësuar identitetin e vet përmes stilit të veshjeve.

greqia antike

Në këtë kontekst, një lajm i mirë është se industria e tregut të modës është duke u zgjeruar po ashtu, gjë që ka bërë që prodhimi i të gjitha llojeve të veshjeve të rritet në përmasa të mëdha. Meqë tani po plotësohen të gjitha zbrazëtitë e tregut që ekzistonin dikur sa i përket asortimentit të veshjes, njerëzit mund të zgjedhin se çfarë të veshin varësisht nga shijet e tyre dhe nga gjendja e tyre financiare. Edhe pse dikur ekzistonin korniza të cilat ishin vendosur brenda konceptit të modës, tashmë njerëzit kanë guxim dhe një forcë lirie për të manipuluar me ngjyra, forma e modele të ndryshme duke mos u bazuar aq shumë se çfarë stine është, gjë e cila ka qenë përcaktuese sa i përket ngjyrës së veshjes. Dizajnerët me famë botërore fokuset e tyre më shumë i kanë hedhur në materialet (teksturën) dhe cilësinë e veshjeve, ndërsa sa i përket modeleve të veshjeve ata çdoherë e më shumë po i thjeshtësojnë duke iu dhënë një harmoni ngjyrash të cilat po sjellin një unitet tek secili person i cili po i vesh ato.
Një trend i fundit që është përqafuar tashmë nga secili është edhe harmonizimi i veshjeve me aksesorë të shumtë. Detajizimi i stilit deri në aksesorë po e bën secilin që të duket më i kompletuar në tërësi, si dhe po sjellë një magji në syrin e secilit. Tashmë edhe dizajnërët e aksesorëve kanë një sfidë të madhe sa i përket diversifikimit të aksesorëve, ngaqë edhe kërkesat janë shumë më të mëdhaja. Një influencë mjaft të madhe në dizajnimin e aksesorëve po e luan edhe Greqia Antike. Greqia Anike është e njohur për historitë e saj të bujshme, duke i marrë parasysh të gjitha aspektet e fushëveprimit njerëzor. Kur flasim për këtë vend historik, patjetër se duhet t’i përfshijmë mitet e saj dhe figurat e famshme mitologjike, të cilat na vërtetojnë se qytetërimet e atëhershme një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar fushës së arteve. Për vetë faktin që kanë ekzistuar shumë perëndesha të bukurisë, nënkupton se sa të kujdesshëm kanë qenë grekët në pamjen e tyre. Pra, pamja e tyre ka qenë e detajizuar deri në aksesorë. Kjo është arsyeja pse edhe dizajnerët e aksesorëve po inspirohen të bëjnë aksesorë duke u bazuar në dizajnin e aksesorëve grek. Në trendet e fundit të aksesorëve i kemi parë tek shfaqen disa nga modele të shumta të aksesorëve grek, të cilët secilës femër po i japin një pamje madhështore, tamam si në kohën kur jetonte e bukura Helenë. Këta aksesorë janë dizajnuar duke e marrë formën e disa gjetheve të arta të cilat atë kohë kanë qenë të përhapura, por për shkak të gjurmëve të pashlyera greke janë rikthyer sërish si dizajn në tregjet botërore të modës. Në këtë kuptim, mund të thuhet lirisht se historia greke po kontribuon duke i dhënë një finesë artit të modes (fashion design). Prandaj, të gjithë ato/ata që duan të duken më bukur e më madhështorë, pse mos të bartin diçka historike me vete dhe shumë më kuptimplote sesa kultura (post)moderne provon të imponojë në jetët tona?!

Nga Majlindë Mazreku