renia e flokeve

Ilaçi për rekuperimin e flokëve të rënë

Një medikament që përdoret për trajtimin e çrregullimeve të ndryshme në palcën kockore, ka rezultuar i suksesshëm kundër rënies së flokëve. Shkencëtarët e Qendrës Mjeksore të Universitetit të Kolumbias në Nju Jork thonë se medikamenti Ruxolitinib, që përdoret për të trajtuar disa forma të kancerit në palcën e kockave, rezultoi i suksesshëm në testin kundër Alopecisë Areate, një çrregullim në lëkurë që shkakton rënien e flokëve. Testi u krye tek tre pacientë, të cilët vuanin nga rënia e pjesëshme e flokëve. Pas një trajtimi 5 mujor me këtë medikament, ata patën rigjenerim të plotë të flokëve në pjesën, ku më parë u kishin rënë. Shkencëtarët nga Shtetet e Bashkuara thanë se, për të testuar Ruksolitinibin për të trajtuar rënien e flokëve, ata u nisën nga vetia, që ka ky medikament në rigjenerimin e qelizave të dëmtuara. Sipas tyre, rënia e flokëve, tek personat që vuajnë nga Alopecia Areate shkaktohet nga grupe të caktuara të qelizave imunitare që sulmojnë rrënjët e flokëve. Alopecia Areate është një është një çrregullim i lëkurës që shkakton rënie të pjesëshme të flokëve apo qimeve në zona të ndryshme të trupit. Sipas statistikave, në Britaninë e Madhe ky çrregullim ka prekur 2 në 1 mijë persona. Zbulimi i kësaj vetie tek medikamenti Ruksolitinibi mund të çojë në krijimin e kurave të reja të suksesshme kundër rënies së flokëve.

Nga Kristi Gjikdhima