Mona Lisa

Kush fshihet pas Mona Lisës?

Buzëqeshja e saj misterioze, në kryeveprën e Leonardo Da Vinçit ka tërhequr për 500 vjet artdashësit, por pas një pune 10-vjeçare, shkencëtari francez, Pascal Cotte, përmes teknikës së dritës reflektuese, analizoi me imtësi pikturën, që ndodhet në Muzeun e Luvrit në Francë.

Mona Lisa

Sipas tij, aty shihet imazh i një gruaje tjetër, të ulur, me shikim drejtuar nga njëra anë, i cili mund të jetë portreti origjinal nga ku u frymëzua piktori.

Ekzistojnë teori se Da Vinçi ka piktuar më shumë se një version të gruas e cila besohet se është Lisa Gherardini nga Firence.

Po kështu ka data të ndryshme për përfundimin e kryeveprës nga vitet 1503 deri në 1517.

Muzeu i Luvrit nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment me argumentin se nuk ishte pjesë e ekipit të shkencëtarëve që bëri zbulimin.

Shkencëtarë të tjerë e cilësojnë “një hipotezë të pabazë”, duke thënë se janë skica që i kanë shërbyer piktorit, për të arritur në portretin e fundit të Mona Lisës, atij që ne shohim sot.

Nëse gjithçka do të rezultojë e vërtetë, atëherë duhet të rishikohet leximi historik dhe artistik i kryeveprës së Da Vinçit.

Nga Aida Budo