dr flori

Ndërron jetë Doktor Flori

Muzika shqiptare humbi një nga emrat e saj më të njohur. Doktor Flori. Ai u largua nga kjo jetë në mënyrë krejt të papritur dhe të parakohshme. Zemra e Florian Kondit pushoi së rrahuri rrugës për në urgjencën e Spitalit “Nënë Tereza”. Mjekët që e pritën nuk japin asnjë shkak pa kryer më parë autopsinë.

Babai i një vajze dhe një djali të porsalindur, e nisi karrierën në grupin West Side Family. I dashur për publikun, Doktor Flori bashkë me dy djemtë e tjerë të grupit, Landi dhe Miri, do të fitonin shumë fansa me këngën “Tirona”, krah Kryetarit të asaj kohe të Bashkisë, sot Kryeministër, Edi Rama. Bashkëpunim që do të përsëritej pas gjashtë vitesh, përsëri krah Edi Ramës në këngën “Çohu”. Shpeshherë pjesë e politikës me muzikën e tij, ai bëri edhe prezantuesin në Festivalin e Këngëve të Stinës, realizoi shumë duete, si ai me Aurela Gaçen, Fabin, Fatima Ymerin dhe se në vitet e fundit me Ermal Mamaqin. Doktor Flori është tekstshkruesi i këngës fituese në Festivalin e 44 të Radio-Televizionit Shqiptar “Zjarr e ftohtë” kënduar nga Luiz Ejlli përfaqësoi Shqipërinë në EuroSong. Hitet e tij janë disa, kënga e fundit i takon një viti më parë e titulluar “Zemërthyer”.

Nga Amela Muça