Neki Emra (3)

Neki Emra “24 orë me punën”

1.Si nis një ditë e zakonshme për Nekin?
Neki përpos që është këngëtar, në të njëjtën kohë ka edhe një punë ditore të zakonshme ku është menaxher në një nga kompanitë më të mëdha në Kosovë të ndërtimit. Pra dita fillon me punët e zakonshme të kompanisë ku zakonisht menaxhoj punët ditore deri në orën 17:00. Nga ora 17:00 filloj me aktivitetet muzikore ku se paku 3 deri në 4 ditë të javës këndoj në gjithë Kosovën, deri në orën 3 apo 4 të mëngjesit me punë. Pra dita mbyllet me 4 deri 5 orë gjumë, jo më shumë.

2.Cilat janë impenjimet e Nekit momentalisht?
Impenjimi momental për mua është videoklipi dhe kënga e fundit e realizuar me Leonora Jakupin. Kemi bërë një punë 6 mujore për të arritur deri në këtë pikë. Kënga është pritur shumë mirë nga njerëzit, dhe kjo kishte rëndësinë më të madhe për ne, kështu që tani është rezultati i klipit, si dhe normalisht mbrëmjet e zakonshme që këndoj në gjithë Kosovën, dhe këto janë dy impenjimet momentale me të cilat merem çdo ditë.

3.Talenti, pamja e jashtme, zotësia… Virtyte të cilat kujt ia atribuon Neki?
Të gjitha këto që i keni përmendur do të kisha dashur t’ia atribuoj familjes, pra prindërve të mi. Pamja e jashtme normalisht që është diçka gjenetike që e kam trashëguar, talentin po ashtu e kam nga babai, i cili ka qenë kompozitor, si dhe zotësia mund të jetë gjenetike. Ndoshta edhe puna e madhe që e bëj, mund të më atribuohet mua personalisht. Por të gjitha janë një komponent i vetëm në një punë të suksesshme që jam duke bërë.

4.Neki një djalë i vogël më pas një adoleshent dhe tani një i rritur… Cilat janë ndryshimet që ka pësuar në kohë?
Pyetje shumë interesante. Neki një djalë i vogël ishte një nxënës i suksesshëm, një aktor amator, një pianist i shkollës së muzikës, duke u rritur gjithmonë me muzikë, pastaj një inxhinier i elektroteknikës, dhe sot një këngëtar i suksesshëm po ashtu edhe menaxher i suksesshëm. Pra ndryshimet nuk janë shumë të mëdha por i vetmi ndryshim mund të quhet periudha e studimeve ku studiova diçka jashtë jetës artistike.

5.Cilat janë mënyrat që kujdeseni për të mbajtur një linjë të mirë trupore?
Linja trupore e imja është më shumë një rezultat gjenetik. Gjithashtu edhe puna e madhe që bëj minimumi 15 orë në ditë, ndoshta nuk më lënë të shëndoshem. Për sportin nuk kam kohë ta ushtroj, por planifikimet janë për të bërë një punë edhe në atë drejtim së shpejti.

6.A teprohet ndonjëherë me kujdesin ndaj imazhit tek meshkujt dhe si reagon Neki ndaj një rasti të tillë?
Jo. Unë mendoj që çdo njeri, pa marë parasysh gjininë, profesionin, e çdo gjë tjetër duhet të ketë kujdes për vehten. Ne jetojmë në një botë të civilizuar tani më, jemi me lokacion në qëndër të europës, dhe duhet të kujdesemi për dukjen tonë. Mbi të gjithë, artistët duhet të kenë kujdes pasi janë shembull në shoqëri. Pra e gjithë masa mer shembuj nga artistët. Kjo është pra arsyeja e dytë që duhet të kujdesemi. Pra e para të ndihemi ne mirë, e dyta të jemi shembull pozitiv.

7.Në cilën moshë kënga u kthye në profesion për ju dhe si ndodhi kjo?
Unë disa herë e kam treguar historinë si u bëra këngëtar, por tani do ta tregoj edhe për ju. Unë nga viti 1996 merem me muzikë profesionalisht, por gjithmonë kam qenë tastierist i këngëtarëve të tjerë. Kam qenë pjesë e grupit 403, grupit Ilirët (grupe të viteve 80) e shumë grupeve tjera. Kam kënduar vetëm për qef dy herë në një festival të organizuar në Prizren dhe kam fituar dy herë vendin e parë. Çdo gjë ishte e rastësishme kur fillova të këndoj në mbrëmjet që ishim me grup nga një apo dy këngë. Reagimet e masës ishin të mrekullueshme. Fillova herë pas here të këndoj më shumë, dhe të gjithë kërkonin që unë të këndoj dhe vendosa nga pak të filloj të këndoj edhe vetëm. Çdo herë nëpër mbrëmje kishte më shumë e më shumë njerëz, dhe kjo filloj para 3 vitesh dhe këngën time të parë me videoklip e realizova në shtator të vitit 2012. Pra brenda vetëm 2 viteve, kam realizuar 5 këngë me 5 videoklipe, dhe dy albume “live” me këngë të vjetra qytetare. Jam shpërblyer 2 herë në “Netët e klipit shqiptar”, 1 herë në “Videofestin muzikor”. Të gjitha pra këto u bënë për 2 vite me një punë të madhe.

8.Jeta profesionale a ndikon ndjeshëm në jetën e një artisti?
Po ndikon mjaft. Ka problem gjithmonë në jetën private për shkak se kemi një jetë mjaft të vështirë profesionale. Bëjmë punë të natës, duke pas stres të madh e kjo herë pas here reflektohet edhe në jetën private. Poashtu duhet të kemi kujdes në ushqim, në pije, dhe çdo gjë tjetër për tu kujdesur për fytin, për dukjen, e shumë komponente tjera.

9.Neki siguirisht që ka një jetë private… Sa është debitor ndaj saj?
Mundohem që kohën e lirë gjithmonë t’ia dedikoj njerëzve përreth që i kam që të paktën t’ia shpërblej me kohën e munguar.

10.Kush është 24 orë me Nekin?
Me Nekin 24 orë është puna.

11.A trembet Neki nga fjala “përjetësisht”? Nëse po na thoni një definicion që mund ta zëvendësojë dhe ta zbusë këtë premtim.
Fjala përjetësisht është diçka gati e pamundur tek ne shqiptarët. Planifikimet tek ne shumë herë dështojnë për rethana që nuk janë në dorën tonë. Kjo është ndoshta një problem i përgjithshëm. Po të kishim mundësi që premtimin ta mbajmë 100% që nënkupton përjetësisht atëherë kombi ynë në përgjithësi do ti kishte punët më mirë. Unë deri sot jam munduar maksimalisht ti mbaj premtimet, dhe kam arritur maksimalisht ti mbaj, por që herë pas here koha dhe rethanat na vonojnë ndoshta pak në premtime. Pra përjetësisht unë e praktikoj me një thënie tjetër e cila është “Si di më së miri ashtu do ta bëj gjithmonë” që kjo na mundëson ti bëjmë gjërat aq mirë sa dimë dhe kjo mund të na dërgojë në mbajtjen ndoshta të premtimeve të përjetshme.

12.Çdo të thotë për një artist t’i përkushtohet vetes? Kur dhe si ndodh kjo?
Çdo artist nëse do ti arrij majat e suksesit, duhet ti përkushtohet vehtes maksimalisht që ta përmirësojë në çdo aspekt. Puna është pika e parë e suksesit. Kjo pra fillon nga këtu. Përkushtimi në vehte nuk është gjë negative, përkundrazi duhet të jetë çelësi i përmirësimit. Askush nuk është që në fillim të punës pa gabime. Kështu që përkushtimi në vehte duhet të jetë vetëm për të përmirësuar çdo ditë e më shumë vehten. E në pyetjen tuaj se kur duhet të ndodh, përgjigjja ime do të ishte “menjëherë”!

13.Si e shikon Neki veten pas 10 vitesh?
Une pas 10 vitesh e shoh veten në koncerte masive, deri në 20 mijë apo 30 mijë persona në publik. Koncerte ku do ti kemi orkestrat profesionale, me ndriçime profesionale, me skeneografi profesionale, pra ku do të jemi në të njëjtin standard siç janë sot europa e rajoni. 20-25 koncerte do ti mbaj në vit, ku do ti promovoj albumet të cilat do ti realizoj. Koncertetet do të mbahen në të gjitha trojet shqiptare dhe ne do të jemi aty ku është rajoni e europa sot. Ky është qëllimi im deri në 10 vitet e ardhshme.

14.Miqësia mes llojit, në këtë rast mes artistësh, funksionon apo ambicia i vret ato?
Fatkeqesisht ne gjenetikisht e kemi problem këtë punë. Miqësia mes artistëve ekziston, por jo si duhej të ishte. Unë gëzohem shumë nëse shoh dikë konkurent me mua nëse ka bërë diçka më të mirë se unë. Edhe e uroj për atë që ka bërë. Arsyeja pse më bëhet qejfi është për shkak se unë tani do të mundohem të bëj diçka më të mirë se ç’kan bërë konkurenca. Dhe unë me atë rast do të përparoj. Pra kam një pikë referece se ç’ka duhet ta kaloj në këtë rast dhe kjo e rrit standardin e përgjithshem. Kjo kështu duhet të ishte. Fatkeqësisht ne kemi pak inate më shumë emocionale sesa profesionale dhe positive.

15.Qëndrimi i Nekit për artin në Shqipëri?
Shqipëria ka artistë të mrekullueshëm dhe pasi flasim për muzikën dua të fokusohem në këngë pra. Sot në Shqipëri kemi disa festivale e organizime shumë të rëndësishme. Dua të përmend Top Festin, Voice of Albania, e shumë të tjera të cilat ekzekutohen “live” 100% ku dalin talente të mëdhenj. Përparësi e madhe e Shqipërisë është që ka një organizim të shkëlqyeshëm për evenimente, si dhe ka traditë në organizime. Kjo bën që shumë talente nga Kosova të vijnë dhe të shprehin talentin e tyre atje. Dhe më e bukura mendoj që tash e 15 vite është që në aspektin artistik nuk kemi kufij. Qoft nga Kosova, Maqedonia, Mali Zi, Presheva e kudo tjetër të gjithë jemi në të njëjtat skena dhe këndojmë shqip dhe shumë herë këngëtarët as që dihet nga vijnë por e bukura është që të gjithë jemi Shqiptar.

16.Jeta sentimentale e Nekit në tre fjalë?
E bukur, e këndshme, por mungon pak koha.

17.Raporti i Nekit me familjen?
Familja ime ka një vend të rëndësishëm në jetën time. Çdo gjë që bëj sot, unë i bëj me konsultime të jashtëzakonshme me familjen. Ata janë këshilltar të mi të përditshëm. Edhe pse nuk kam kohë ti shoh tani viteve të fundit, por sot teknologjia ka përparuar dhe i telefonoj për ti degjuar çdo ditë. Vendimet gjithmonë i marr vetë, por këshilla të jashtëzakonshme marr nga ata. Janë përkrahës të çdo pune që bëj. Jam falenderues nga zoti që kam një familje të tillë.

18.Neki dhe dashuria?
Po normalisht që dhe dashuria është pjesë e pashmangshme e jetës sime. Dashuria për familjen time, të dashurën, për miqtë, për adhuruesit e mi, të cilët i dua më së shumti e të cilët edhe më kanë krijuar, gjithashtu dhe muzikën e këngën, pastaj çdo gjë që më rethon. Dashuri mund ta quajmë çdo gjë që ne e duam në jetën tonë dhe që e bëjmë.

19.A beson në zot?
Shumë. Ka miliona arsye pse duhet të besojmë. Por ky besim duhet të jetë vetëm e vetëm për të na zbukuruar jetën. Kemi malet, tokën, ujin, detin e mbi të gjitha organizmin e vet njeriut që më bë të mendoj që diçka e mbinatyrshme i ka krijuar këto. E kjo mund të quhet zot. Por gjithmonë në aspektin më pozitiv duke i shfrytëzuar të mirat e kësaj bote maksimalisht.

20.Cilat janë planet për të ardhmen e Nekit?
Planet e mija janë afatshkurtëra dhe afatgjata. Në planin afatshkurtër në fund të këtij viti planifikoj të kem albumin tim të parë me këngë të mijat, të cilën do ta përcjell me një koncert madhështor. Kjo duhet të përmbyllë punën time 2 vjeçare. Dhe nga kjo dua të hap një kapitull të ri. Të nis idenë për mbajtjen e koncerteve madhështore, dhe të ariij nga 3-5 vite në atë idenë ku do ti mbushim stadiumet me adhurues. Kjo është një rrugë shumë e vështirë, por unë besoj që do ta realizoj.