viene

Një vizion nga Viena, muzika, muzetë dhe ndërtesat antike

Kur fillon dhe mendon për qytetet europiane të cilat do të duhet të vizitosh, është gjithmonë e vështirë të veçosh njërin prej tyre. Kjo ndoshta sepse kemi një larmi aq të madhe zgjedhjeje, sa që gjithkush do të mendohej dy herë para se të vendoste. Megjithatë ne të revistës “Runway” mendojmë se Viena është një zgjedhje e shkëlqyer nga ku të fillosh udhëtimin për në Europë. Aresyeja është shumë e thjeshtë. Ky qytet , përveç të qënurit një nga metropolet kryesore të kontinentit të vjetër, është edhe vëndi nga ku kultura europiane mori një zhvillim të jashtëzakonshëm.

Trashëgimia kryesore e këtij qyteti , ka qenë gjithmonë muzika. Viena është qyteti i kompozitorëve të mëdhenj. Moxarti, Shubert, Bethoven, që të gjithë këta , kush më shumë e kush më pak , kanë pasur diçka të përbashkët me këtë qytet dhe kjo është mjaft e dukshme. Mjafton të bësh një shëtitje nëpër qytet dhe menjëherë gjëja që do të të bëjë më shumë përshtypje është numri i madh i operave dhe teatrove që ndodhen atje, ku më i njohuri mbetet gjithmonë Burg theater, tempulli i madh i kulturës vjeneze. I inaguruar më 14 Mars të vitit 1741, ky teater ka qenë për vite të tëra qëndra e kulturës perandorake të vëndit. Shumë figura të njohura të artit dhe kulturës kanë interpretuar aty, përfshi këtu dhe aktorin e famshëm shqiptar Aleksander Moisiu.

Përveç teatrove Viena është e njohur dhe për muzetë e saj të shumtë. Muzeu qëndror i qytetit, ai i pallatit Hofburg, përmban disa nga thesarët më të vlefshme artistike dhe kulturore të mbarë europës. Aty ekspozohen, që nga objektet dhe relikët e familjes perandorake austriake, e deri te pikturat apo objekte të tjera të vlefshme nga vënde të ndryshme të botës, të cilat në një mënyrë apo tjetër zunë vënd në panteonin e nderit të muzeut Hofburg. Në këtë muze janë të ekspozuara shpata dhe përkrenarja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Gjithashtu një muze tjetër interesant që duhet vizituar është dhe muzeu i historisë së natyrës, muze ky që ka të ekspozuar një numër mjaft të madh speciesh kafshësh , shpendësh , gjitarësh, duke paraqitur gjithashtu dhe hisorinë e zhvillimit të studimin të historisë së natyrës.

Së fundmi na mbetet të flasim dhe për një pjesë tjetër të fytyrës së këtij qyteti: Arkitekturën.

Viena është një qytet ku hasen një numër i madh stilesh arkitekturore, duke filluar që nga ai Romanesk, për të vazhduar me atë Barok, klasik e deri tek arkitektura moderne. Si një qëndër e zhvilluar europiane dhe sidomos si kryeqytet i Perandorisë Austro-Hungareze, Viena tërhoqi përgjatë shekujve arkitektët më të njohur të cilët me punën e tyre bënë që qyteti të kishte një shkëlqim të veçantë, i cili deri më sot rezaton veçantinë e vet. Shtëpitë aristoktate, teatrot, pallatet mbretërore, bashkia e famshme dhe sidomos Katedralia e Shën Stefanit, në qëndër të qytetit, përbëjnë disa nga thesarët arkitektonikë që ky qytet ofron. Një nga veçantitë që hasim në arkitekturë është dhe lagjia Hundertwasser. E quajtur sipas arkitektit që e ideoj, kjo lagje përbën qëndrën e artit modern austriak si dhe një atraksion turistik tepër të veçantë.

Kuptohet që këto që paraqitëm me shkrim dhe me foto, janë shumë pak për një qytet me aq shumë pasuri kulturore, por shpresojmë që duke mos jua thënë të gjitha ne të Runway, të zgjojmë tek ju lexues kuriozitetin për ti vizituar ato vetë dhe për të qenë pjestarë të madhështisë që Viena ofron.