kembe te bukura

“Operacioni i Hirushes”

A do t’i shkurtonit gishtat e këmbës tuaj për të mbajtur taka sa më të larta? Ndërhyrja është një agoni më vete dhe shumë e rrezikshme thonë kirurgët në Amerikë, megjithatë, gjithmonë e më tepër gra nëpër botë po i drejtohen klinikave, për atë që shtypi i huaj e quan “operacioni i Hirushes”. Një ndryshim i formës dhe përmasave të këmbës, me qëllim përmirësimin e pamjes së saj, i cili përpos shkurtimit dhe rregullimit të gishtave, përfshin edhe ndërhyrje të tipit “liposuction” për të hequr dhjamin e tepërt në këmbë, apo sharrimin e kockave të rritura jashtë normales, të cilat krijojnë shqetësim sidomos me takat e larta.

kembe te bukura

“Mund të tingëllojë si budallallëk, por për mua blerja e këpucëve ishte kthyer në torturë”, thotë Paulina Charlikowska, e cila ka shpenzuar rreth 4,500 paund që të shkurtojë katër gishta të këmbës. “Gjithmonë më ka ardhur turp për këmbët e mia dhe i fshihja para shoqeve sa herë takohesha me to. Këpucët me taka të larta, pastaj, ishin një dhimbje më vete. Nuk vishja dot asgjë elegante”, vazhdon 30-vjeçarja që, pas shumë luhatjesh, vendosi të bënte një zgjedhje drastike, operacionin e hirushes. Ndërhyrja rezultoi një sukses, por jo të gjitha femrat, që i janë nënshtruar këtij operacioni, kanë qenë kaq me fat.

taka te larta

Pas dy operacioneve të njëpasnjëshme, Danielle Sandler është në situatën, që nuk do të mbajë dot më kurrë këpucë të larta në jetën e saj pasi operacioni nuk shkoi ashtu si duhej. Vitet e fundit, operacionet e këmbëve kanë fituar popullaritet të madh në Shtetet e Bashkuara, ndërsa tani konsiderohen si një prej procedurave kozmetike me rritjen më të shpejtë të kërkesave edhe në Britaninë e madhe, por edhe në Europë.