Saranda

Saranda, e dyta në Evropë

Mes shumë destinacioneve turistike, gazeta prestigjoze “Huffington Post” e rendit Sarandën si vendin e dytë në Europë që duhet vizituar gjatë stinës së vjeshtës me patjetër nga vizitorët. “Si një nga vendet me plazhin më të bukur në bregun Jonian, Saranda ofron shërbim shumë të mirë të hoteleve me 5 yje dhe me çmime relativisht të ulëta krahasuar me pika të tjera turistike europiane të cilat janë shumë të larta në çmime”, shkruan gazeta prestigjoze.

Ndërkaq, “Huffington Post” thekson se krahas bukurive bregdetare, qyteti jugor i Shqipërisë ka një ndërthurje perfekte të antikitetit me bukuritë natyrore të tij. Duke veçuar zonën arkeologjike të Butrintit, gazeta britanike e konsideron Sarandën si një vend unik për turistët. “Lashtësia e qytetit romak të Butrintit është një trashëgimi botërore e vlerësuar dhe ruajtur nga UNESCO”, shkruan më tej “HP”, që e krahason qytetin bregdetar me zemrën e Shqipërisë.
Nga Erisa Hoxha