stamboll

Stambolli, arkitekturë antike dhe moderne

Stambolli, qyteti më i madh i Turqisë, me një popullsi prej 14 milion banorësh, shpesh herë është konsideruar dhe si kryeqyteti i saj edhe pse në të vërtetë është Ankaraja. Konsiderohet i tillë për vetë faktin se është zemra e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe historik. Më parë Stambolli njihej me emrin Bizanti dhe ishte 1000 vjeç, kur perandori Kostandini i Madh filloi ta rindërtonte atë si kryeqytetin e ri të “Perandorisë Romake”. Në vitet 330 para erës sonë u quajt “Roma e Re”, edhe pse shumë shpejt u bë e njohur si “Kostandinopoja”, qyteti i Kostandinit. Në 1453 sulltani “Mehmet II” i njohur si “Fatih” pushtoi Kostandinopojën, edhe pse tashmë ajo ishte shumë herë më e vogël, ai vendosi ta rindërtojë dhe ta rikthejë sërish si kryeqytetin e perandorisë osmane.

Turqit e quajtën zyrtarisht qytetin e ri si “Konstantiniye”, por ndërkohë Grekët dhe perëndimorët e quajtën shkurt si “Stanbull” ndërsa vetë Turqit si “Instanbull”, emër i cili vazhdon të njihet po njësoj edhe në ditët e sotme. Kryeqytet i tri perandorive më në zë në historinë e botës (romake, bizantine e otomane) dhe bartës e përçues i gjithë qytetërimeve nga helenët e këtej, Stambolli i mahnitshëm i ruan mrekullisht vlerat e mëdha të gjithanshme, disa nga të cilat unikale. Një tjetër mrekulli antike është Hagia Sofia e cila pozicionohet në majë të një kodre nga ku të ofrohet një pamje e mrekullueshme e detit Marmara dhe urës së Bosforit. Në vitet 532-537 perandori Justinian ndërtoi kishën më të madhe të botës kristiane të antikitetit. Struktura e guximshme ishte një ndërthurje midis bazilikës romake dhe kupolës romake, elementi qëndror i të cilit ishte pikërisht një kupolë me një diametër prej 31 metrash dhe lartësi rreth 49 metra. Këto dimensione nuk u kaluan as në kohët e periudhës Bizantine dhe në as ato Osmane. Pasi i kishte rezistuar një sërë gotitjeve sizmike në vitin 558 ajo u shkatërrua. Kupola që ne shofim sot i përket vitit 562 dhe është 7 metra më e lartë. Me anë të 91 dritareve realizohet ndriçimi natyral, i cili depërton në brendësi të kishësh duke i dhënë një shkëlqim hyjnor interierit të saj të përbërë nga pllaka mermeri, mozaikë shumëngjyrësh, piktura të realizuara me qeramikë, gurë të çmuar, flori etj. Struktura e brëndshme dhe loja e ndriçimit e bën këtë kishë dhe më impresionante duke e shndërruar kështu në një ndër kishat më madhështore të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e arkitekturës. Pas pushtimit të kostandinopojës nga Turqit nën udhëheqjen e Mehmetit të II, kisha e Hagia Sofia është përdorur si xhami, deri në 1923, kur u formua dhe republika Turke. Sot ajo është muze dhe vizitohet nga mijëra turistë nga e gjithë bota. Afër saj ndodhet një mrekulli e vërtetë e qytetit të Stambollit, Xhamia Blu ose ashtu si i thonë turqit Xhamia e Sulltan Ahmetit ndodhet shumë afër kishës së “Hagia Sofia” dhe kufizohen vetëm nga një park i vogël. Xhamia është ndërtuar qëllimisht pranë kishës së shën Sofisë, duke dashur të demostronin aftësinë osmane dhe arkitëkteve islamikë duke konkuruar fare hapur paraardhësit e tyre të krishterë. Edhe pse sot këto dy ndërtesa formojnë një territor unik historik dhe arkitektonik. U pagëzua me emrin “Xhamia Blu” për shkak se pjesa e brëndshme e faltores është dekoruar me më shumë se 20 mijë pllaka blu. Ashtu si edhe Hagia Sofia, xhamia Blu të ofron një pamje të mrekullueshme të detit të Marmarasë dhe urës së Bosforit. Xhamia u ndërtuar përgjatë viteve 1610-1619, me porosi të sulltanit Ahmed I. Arkitekti i saj ishte Sedefkâr Mehmet Aÿa. Përbri portës anësore gjëndet një radhë me çezma, ku besimtarët lanin këmbët para se të hynin në xhami. Kjo xhami karakterizohet nga numri i pazakontë i minareve, me 6 të tilla, si dhe nga kupolat dhe gjysëm kupolat e njëpasnjëshme të cilat finalizohen me kupolën e madhe. Në fakt është evidente që shembull për ndërtimin e kupolave ka qenë kisha e shën Sofisë. Kupola kryesore e cila është edhe më e madhja në dimensione rrethohet nga katër kupola të tjera me dimensione më të vogla, dhe poshtë tyre dhe katër të tjera më të vogla. Një tjetër veçanti e kësaj xhamie është dhe ndriçimi natyral i cili e ndriçon interierin në një mënyrë spektakolare. 260 dritaret e saj janë vendosur në mënyrë të atillë që drita të depërtojë edhe në cepat më të largëta. Duke u mbështetur në katër kollona gjigande, kupola kryesore e xhamisë krijon një lartësi prej 24 metrash, nga ku varet një shandan i madh i cili vjen shumë afër me dyshemenë e cila është shtruar me qilima kryesisht me tone të kuq dhe vishnje. Qemeri i xhamisë, dhe pjesa e brëndshme e kupolave janë të veshura me pllaka me ngjyra të lehta, kryesisht të bardha, të verdha, krem dhe të arta. Motivi kryesor i ornamenteve qeramike është me thënie të mara nga Kurani. Mrekullitë antike të Stambollit vijojnë me Topkapi i cili është pallati mbretëror më i madh dhe më i vjetër në botë që ka mbijetuar deri në ditët tona. Në vitin 1924, me kërkesë të Atatirk, ai u shndërrua në një muze. Pallati është një kompleks i cili rrethohet nga një mur prej 5km dhe ka një sipërfaqe prej 700 000 metra katrorë. Topkapi është një shembull klasik i arkitekturës së pallateve turke. Ai ka pas një sërë funksionesh. Edhe pse pallati supozohej të ishte vetëm për Sulltanin, ai në të njëjtën kohë ishte dhe qëndra e mbledhjeve administrative, vëndi ku mblidhej këshilli i ministrave për takimet e tyre, vendi ku ruhej thesari dhe arkivat e shtetit. Instituti më i lartë arsimor i perandorisë, universiteti i sulltanit dhe i shtetit ishte po këtu. Prandaj ajo ishte qëndra, zemra dhe truri i perandorisë osmane. Më vonë haremet e sulltanëve u zhvendosën këtu. Pllakat e ndryshme, punimet prej druri dhe stilet arkitektonike që gjejmë në pallatin e Topkapi-së pasqyrojnë zhvillimin e artit turk dhe ekzistencën e harmonisë ndërmjet stileve të ndryshme përgjatë shekujve.

Haremi ishte zona private e pallatit ku jetonte e ëma e sulltanit, vëllezërit ose motrat, të afërm të tjerë, gratë e sulltanit apo të tjerë që i shërbenin këtij pallati të madh. Vajzat që u shërbenin sulltanit dhe familjes së tij ishin të përzgjedhur nga radhët e vajzave më të bukura dhe të shëndetshme, të racave të ndryshme, ose i’u ishin dërguar sulltanit si dhuratë. Vajzat silleshin në Harem në një moshë shumë të vogël dhe i nënshtroheshin një disipline shumë të rreptë. Pasi ato njiheshin plotësisht me zakonet e pallatit, ndaheshin në grupe të ndryshme. Ato që mund të arrinin të tërhiqnin vëmëndjen e sulltanit kishin mundësi të bëheshin gruaja e tij. E ëma e sulltanit ishte sundimtarja e vetme në harem. Kur në front vinte një tjetër sultan, haremi i sulltanit të mëparshëm zhvendosej në një tjetër pallat. Pjesa e haremit fillonte me 40 dhoma të caktuara por të ndara për të ëmën e sulltanin, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga banjo turke dhe sallone të bollshme të rezervuara për sulltanin. Antikiteti turk në Stamboll përmban në listën e tij edhe Pallatin e Dolmabahces. Ai është ndërtuar nga Abdyl Mexhiti. Pallati paraprihet nga një xhami, kushtuar nënës mbretëreshë dhe kulla e sahatit. Porta hyrëse përbëhet nga kollona, harqe dhe kapitele gjithë ornamente. Pallati ka 283 dhoma dhe 43 sallone. Shandanët e shumtë prej kristali ku më i madhi mban 750 qirinj dhe peshon 4,5 ton. Nëpër korridore qëndrojnë të varura tërë hijeshi piktura të mëdha të piktorëve italianë e francezë, ku ndër to spikat portreti i gruas së sulltanit. Një kthinë e posaçme i kushtohet sulltanëve të pallatit. Sulltanët përfaqësohen aty edhe me portrete në pikturë ku tre prej tyre janë në skica. Dolmabahce u ndërtua me synimin për ti ngjarë Luvrit të Parisit apo Bekinganit të Londrës, për të krijuar te perëndimorët imazhin e një perandorie euriopiane, dhe u quajt Rilindja Otomane. Në Stamboll një tjetër mrekulli antike është edhe Kiz Kulesi (kulla e vashës) e ndërtuar në një ishull të vogël, në hyrje të Bosforit dhe është një simbol karakteristik i Stambollit. Më parë ka pasur funksionin e një kulle vrojtimi dhe fanari. Kjo kullë ka arritur ta ruajë pamjen e saj që nga shekulli i 19-të. Tashmë ajo shërben si pikë referimi për anijet që hyjnë drejt bosforit dhe si një nga objektet që nuk duhen lënë pa u vizituar nga turistët. Qarkullojnë shumë legjenda rreth kësaj kulle, një ndër to bën fjalë për një perandor, i cili ëndërron që vajza e tij do të vdiste nga pickimi i një gjarpri. Për të mbrojtur vajzën e tij, ai ndërton këtë kullë në mes të detit, gjithsesi tragjedia nuk mundi të shmangej, pasi vajza pickohet nga një gjarpër që ishte fshehur në një shportë frutash.

Treguam deri në këtë pikë për disa nga ndërtesat më antike të Stambollit por nuk do mbyllet ky shkrim pa përmendur edhe një nga ndërtesat moderne të kohërave të sotme qëndrën polifunksionale Kanyon, që ndodhet në qytetin e Stambollit. Kanyon është një nga qëndrat më të mëdha polifunksionale në Europë. Godina përmban 160 dyqane të cilat zënë një sipërfaqe prej 37 500 metra katrorë, 30 kate zyra dhe 22 kate apartamente banimi (afërsisht 179 apartamente). Kanyon u projektua nga studioja “The Jerde Partnership” në Los Angelos, në bashkëpunim me “Tabanlıoğlu Architects” në Stamboll. Godina është projektuar në mënyrë të atillë që të jetë e gjallë, të ketë fleksibilitet, të jetë e gjelbëruar dhe çka është më e veçanta është se si bëhet kalimi nga hapësira jashtë në atë brenda dhe anasjelltas. Kjo godinë është vlerësuar me disa çmime për nga arkitektura e saj.