Blendi Fevziu

Sukses për librin nga Blendi Fevziu

Vetëm pak ditë nga dalja e tij, “Ahmet Zogu Presidenti që u bë mbret”, është kthyer në librin e parë për tu blerë në këto ditë panairi. Kërshëria për të lexuar mbi këtë personazh tejet të debatuar të politikës shqiptare, e tregon edhe numri i madh i njerëzve, në stendën e autorit dhe gazetarit Blendi Fevizu. Mes njerëzve që qëndrojnë në pritje për të autografuar librin, ishte edhe pasardhësi i Ahmet Zogut, Princi Leka. Profili i jetës së Ahmet Zogut, me shumë të pathëna, është i pari që prezantohet të lexuesi shqiptar.

Në 18 kapitujt rrëfehet mbi një karakter tejet enigmatik. Ahmet Zogu, që një ndër problemet e tij më të mëdha kishte të ruante veten fizikisht, pasi i mbijetoi 50 atentateve dhe përpjekjeve të dështuara për ta eliminuar, ishte aq dinak sa vishte herë kostumin e kundërshtarit e herë atë të aleatit. I vështirë të kuptohej nga bashkëpunëtorët e tij, çdo vendimarrje, në politikën e brendshme dhe atë të jashtme udhehiqej nga këndvështrimi i tij personal. Gazetari Blendi Fevziu sjell në librin e tij edhe elemente rozë, si martesa me Geraldinën, dhuratat që i bënte asaj, kostumet apo kravatat që i porosiste në dyqanet e alta modës së asaj kohe, stilin e jetesës me pak ore gjumë, frekuntimin e operas dhe dashuritë e tij të fshehta. Fotografi të asaj kohe por edhe publikimi i raporteve të ambasadorëve Britanikë e Amerikane për mbretin e shqiptarëve e përbëjnë “Ahmet Zogu Presidenti që u bë mbret”, librin që në pak ditë ka shitur 5 mijë kopje.
Nga Emilda Mushketa