tyra banks

Tyra Banks

Para se ajo të bëhej një modele internacionale, krijuese-autore dhe prezantuese e programit America’s Next Top Model dhe fituese e çmimit Emmy, modelja amerikane Tyra Banks ishte një vajzë me problem nënvlerërimi për veten.
Edhe pse ajo sot shihet si mbretëresha e të gjitha mediave, me një mbretëri në rritje përsa i përket punës së saj, jeta nuk i ka buzëqeshur gjithmonë Tyra-s, e cila vuante nga nën pesha dhe vuante faktin e të qenurit më e gjata në shkollën ku ajo studionte. E lindur në Inglewood, California në vitin 1973, u rrit vetëm nga e ëma e saj Carolyn London.

Për veten e saj ka thënë: “Të bëhesha top model nuk ishte ëndrra ime. Nuk ishte ajo çka doja të bëja, nuk jam rritur duke shfletuar revista. Ky profesion më gjeti mua”. Gjatë ditës së pare të shkollës një shok i saj i këshilloi të bëhej modele, e ëma e saj pranoi dhe e ndihmoi Tyra-n të bënte albumin e saj të parë fotografik dhe të menaxhonte shtatë vitet e saj të para në këtë fushë.

Pasi u diplomua në shkollën Immaculate Heart në Los Angeles, në vitin 1991, Tyra Banks nuk vazhdoi studimet e larta por vendosi të niste një rrugë të re, nisi karrierën e saj në botën e modës. Një agjent mode, pasi vuri re potencialin e saj e ftoi atë në Paris për të ashtëquajturën “Prêt à porter”. Fenomeni Banks shpërthen që në sezonin e parë të punës, ku u bë pjesë e 25 sfilatave, fakt ky i cili bëri atë modelen më të kërkuar në mënyrë të menjëherëshme.
Shumë fotozhenike, me një lëkurë ngjyrë mjalti, sy jeshil, flokë ngjyrë kafe dhe një fizik mbresëlënës, Tyra u kontaktua menjëherë për qindra kopertina revistash, editoriale të ndryshme mode dhe fushata publicitare nga ato më të njohurat. Shfaqjet e saj në video muzikore të ndryshme si Black or White të Michael Jackson, Love Thing të Tina Turner, Too Funky të George Michael sëbashku me kolegen e saj, Linda Evangelista, dhe në Don‘t Wanna Lose You të Lionel Richie.
Në vazhdimësinë e karrierës së saj, modelja Banks ka sfiluar për marka si Yves Saint Laurent, Chanel, Ralph Lauren, Alberta Ferretti, Dolce & Gabbana dhe Donna Karan, dhe këto ishin vetëm disa nga lista e pafundtë. Ajo ishte një presencë fikse e kopertinave të revistave si Vogue, Elle, Harper’s Bazaar, Cosmopolitan, GQ dhe Amica. Në vitet 90, bëri bujë kur u bë gruaja e parë afro-amerikane në kopertinën e lakmuar të Sports Illustrated Swimsuit Issue. E vlerësuar si “Supermodel of the Year” nga VH1, Tyra u shndërrua në ëngjëllin e Victoria’s Secret dhe nga hera e parë, sfiloi më pas për këtë markë edhe për 10 vite të tjera. Në vitin 2005 i dha lamtumirën pasarelave, për t’u përqëndruar më shumë në markën e saj “Zbulimi i vërtetë i bukurisë”. Në vitin 1999, krijoi “Tzone, një program për të rinjtë me autostimë të madhe. Më pas kur ishte në kulmin e karrierës si modele krijoi talk show-n “The Tyra Banks Show”, për të ndihmuar femrat të vlerësojnë fizikun e tyre dhe të forcojnë autostimën tek vetja. Femër biznesi gjatë ditës dhe autore e prezantuese gjatë darkës në ANTM (America’s Next Top Model), Tyra Banks është 1 ndër katër afro-amerikanet e klasifikuara nga revista Time si personat me më shumë ndikueshmëri në botë. Karriera e biznesmenes për Tyra u përmirësua me kalimin e viteve falë eksperiencave të ndryshme që ajo fitonte nga puna e saj.
Në fillim të karrierës së saj, ashtu si ajo kujton shpesh herë në intervista të ndryshme nëpër revista, e përdori botën e modës për të krijuar mundësitë e realizimeve të projekteve më të mëdha si këto që përmendëm më lart. Në fakt ajo di mjaft mirë që për të mbijetuar në botën e sotme, nuk mjafton vetëm një fytyrë e bukur, modelet duhet të bëhen emra të mëdhenj dhe të fitojnë mundësinë për të qenë ikona kopertinash, kontratash dhe reklamash me firmat më të mira të modës. Duke u spostuar nga objektivi i aparatit tek ai i telekameres, Tyra-n e quajtën një super top model, një heroine pionere të modës, madje edhe Oprah e re e botës së medias.